LajmePolitika

Me pranga në duar, Erion Veliaj shfaqet publikisht për herë të parë pas arrestimit

Pas 8 muajsh izolim, kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, Erion Veliaj u shfaq mëngjesin e sotëm para mediave.

Me pranga në duar dhe i shoqëruar nën forca të rrepta sigurie ai ka shkuar sot në sallën e Gjykatës Kushtetuese, ku do të ankimojë shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.

Ai u shfaq i qeshur, i veshur me kostum duke përshëndetur gazetarët. Veliaj ka tentuar të komunikojë me median, por nuk u lejua nga forcat e sigurisë, pasi ai u shoqërua me shpejtësi drejt ambienteve të brendshme të gjykatës. 

Veliaj la përkohësisht sot qelinë e paraburgimit për herë të parë që prej 10 shkurtit, kur u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. 

Në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, do të shqyrtohet ankimi i tij kundër vendimit të qeverisë për ta shkarkuar nga detyra.

Gjykata Kushtetuese i ka dërguar më 9 tetor një njoftim zyrtar Veliajt, duke i kërkuar të deklarojë nëse dëshironte të merrte pjesë personalisht në seancë.

Katër ditë më vonë, gjykata informoi edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, duke kërkuar marrjen e masave të nevojshme për pjesëmarrjen e mundshme të tij.

Ankimi i Veliajt është depozituar më 25 shtator, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë që formalizoi shkarkimin e tij, një vendim i propozuar fillimisht nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Pas këtij zhvillimi, më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Tiranës, por ky dekret u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese, në pritje të vendimit përfundimtar mbi çështjen e shkarkimit.

Seanca e sotme shënon daljen e parë publike të Veliajt që prej 10 shkurtit, datë në të cilën ai u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme, pas kërkesës së SPAK, për akuzat e korrupsionit të kryer në disa episode në bashkëpunim.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts