Është ndarë nga nga jeta këtë të hënë në moshën 89-vjeçare një nga figurat më të mëdha të kinematografisë shqiptare, regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti.
Lajmin e hidhur e ka njoftuar vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjete sociale ku shkruan:
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”
Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Vlorës dhe që në rininë e hershme iu përkushtua artit, duke studiuar në Institutin e Kinematografisë “VGIK” në Moskë.
Filmi i tij i parë, “Njeriu kurrë nuk vdes”, u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë më 1961, duke i hapur rrugën një karriere të ndritur.
Ai realizoi një sërë filmash që mbetën të paharruar në kujtesën e publikut shqiptar, si “Debatik”, “Toka jonë”, “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur” dhe shumë të tjerë. Gjatë karrierës së tij 40-vjeçare, Anagnosti ka realizuar mbi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke qenë jo vetëm regjisor, por edhe autor skenarësh.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art, u nderua me titullin “Artist i Popullit” dhe u vlerësua me dhjetëra çmime. Si një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë sonë ai është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Veprat artistike
Ai është autor i shumë filmave shqip:
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)












