Në intervistën e dhënë në Shijak TV, kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke i lidhur ato me qëndrimet gjeopolitike të fuqive të mëdha botërore. Roshi deklaroi se goditja që Izraeli i ka dhënë Iranit është në fakt një goditje indirekte kundër Rusisë, me qëllimin për ta dobësuar dhe izoluar atë në arenën ndërkombëtare.
“Goditja që i bëhet Iranit nëpërmjet Izraelit është një goditje indirekte kundër Rusisë. I ikin aleatët një nga një dhe mbetet vetëm. Kjo do të thotë se fuqia e saj bie, dhe bashkë me të bie edhe vetë Rusia”, tha Roshi.
Ai shtoi se përplasjet në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet në Gaza dhe territore të tjera, janë pjesë e një strategjie më të gjerë që shkon përtej interesave të Izraelit.
“Goditja që i bëri Izraeli, sepse nuk është vetëm e Izraelit mendoj unë, ku e gjeti gjithë atë fuqi për të goditur Gazën, Palestinën, etj.? Këto janë qendra të terrorizmit. Prandaj goditen”, shtoi ai.
Në lidhje me qëndrimet e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Roshi theksoi se një marrëveshje paqeje është e pashmangshme, ndonëse zgjat në kohë.
“Trump e tha: do të bëjmë marrëveshje ‘xhentëllmenësh’ sepse lufta nuk i intereson askujt. Por nuk u pranua. Atëherë do të detyrohen, dalëngadalë, ta ndërpresin luftën”, theksoi Roshi.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim për ambiciet bërthamore të Iranit, duke i cilësuar ato si kërcënim global.
“Irani, përmes pasurimit të vazhdueshëm të uraniumit, përbënte një rrezik, jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë botën”, përfundoi ai.
Deklarata e Roshit vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë të larta, ndërsa ndërkombëtarisht po diskutohen efektet afatgjata të përplasjeve të fundit në rajon dhe ndikimi i tyre në balancat globale të fuqisë.












