Politika

KAS shqyrton kërkesën e PD për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Kukës

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) po shqyrton në këto momente një kërkesë ankimore të paraqitur nga Partia Demokratike, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në Qarkun e Kukësit dhe përsëritjen e tyre. PD kundërshton miratimin e rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke ngritur akuza të forta për parregullsi dhe manipulime në favor të mazhorancës.

Sipas pretendimeve të demokratëve, në këtë qark janë regjistruar raste të blerjes së votave, tjetërsimit të votës së diasporës dhe ndikimeve të paligjshme nga grupe me interesa politike. Edhe pse Partia Demokratike ka dalë fituese në Kukës duke siguruar dy mandate, krahas një mandati të Partisë Socialiste, ajo thekson se procesi ka qenë i manipuluar dhe duhet të shpallet i pavlefshëm.

“Të gjitha faktet, indiciet dhe provat në disponimin tonë, provojnë në mënyrë të qartë dhe të pakundërshtueshme se kemi të bëjmë me shkelje të rënda të dispozitave të Kodit Zgjedhor”, thuhet në kërkesën e depozituar në KAS. Sipas PD, problemet zgjedhore në Kukës, Tropojë dhe Has janë thelluar nga varfëria strukturore, keqadministrimi i burimeve publike dhe përdorimi politik i administratës shtetërore.

Në mbështetje të ankesës, PD citon raportin e OSBE-ODIHR të datës 12 maj 2025, ku vihet në dukje përdorimi i burimeve administrative nga partia në pushtet, duke krijuar një avantazh të padrejtë elektoral. Sipas raportit, në Kukës janë evidentuar presione ndaj nëpunësve civilë, përfshirje e strukturave të patronazhimit dhe intimidim i votuesve opozitarë.

Situata në zonat më të varfra si Tropoja dhe Hasi është konsideruar veçanërisht problematike, ku, sipas PD, është përdorur ndihma ekonomike dhe punësimet shtetërore si mjet presioni mbi votuesit. “Kukësi, Tropoja dhe Hasi përfaqësojnë një tablo të qartë të brishtësisë demokratike në Shqipëri”, theksohet në ankimim, duke e konsideruar garën zgjedhore si të pabarabartë dhe të manipuluar.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pritet të marrë një vendim mbi vlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë qark.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts