Politika

Berisha: Votimet në Tiranë u dominuan nga bandat më të fuqishme, nga ‘Hakmarrja për drejtësi’ te segmente të bandës së Shullazit

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit u shpreh se votimet në Tiranë u dominuan nga bandat më të fuqishme. Duke folur në konferencë për shtyp Berisha tha akuzoi kryeministrin Edi Rama për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me këto banda në manipulimin e zgjedhjeve, duke paralajmëruar se Partia Demokratike nuk do ta njohë kurrë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ai theksoi gjithashtu se PD do i faktojë çdo shqiptari dhe komunitetit ndërkombëtar se çfarë përfaqëson në realitet farsa elektorale e 11 Majit 2025. 

“Tani, këto janë dëshmitë e botës së nëndheshme të zyrtarëve që në shkelje të të gjitha ligjeve dhe parimeve të zgjedhjeve, vepruan në mbarë Tiranën. Por Tirana, për avoketërit e farsës, që përpiqen ta paraqesin si zonë pa krim, u dominua nga banda më të fuqishme. Në Tiranë operative ishin banda e Xhabaftëve, e dokumentuar dhe e paraqitur para jush këtu me të gjithë veprimtarinë terroriste elektorale. ‘Hakmarrja për drejtësi’ është një bandë me degën e saj të fuqishme në Tiranë, pavarësisht se tani për tani, qendrën e kanë në Lushnje dhe kanë zëvendësuar bandën e Aldo Bares.

Por në Tiranë janë eksponentë kryesorë të saj, ndër të cilët Dabullët dhe të tjerë. Segmente të bandës së Shullazit, Serjani dhe banditë të tjerë, janë marrë ditë e natë me kërcënimin e votuesve dhe blerjen e votave.
Pra, Tirana ishte e ngërthyer në një darë krimi, në të katër anët e saj, nga seria killerë, trafikantë, organizata.
Kjo është e vërteta. Çfarëdo që të bëjë Edi Rama, çfarëdo përpjekje, me asgjë nuk mund të fshehë farsën e shëmtuar elektorale të 11 Majit 2025. Flluskat dhe qeskat e tymit që shpërndan, një ditë me një pretendim, një ditë me një pretendim tjetër, faktojnë dështimin e tij të plotë në maskimin e farsës elektorale.

Ka shpërndarë kërkesa të panumërta që të marrë urime, por urimet nuk po i vijnë. Telefonata të shumta, po statuse nuk postohen. Urime nuk i vijnë. I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq. PD deklaron se nuk njeh kurrë këtë farsë elektorale. Se ajo do i faktojë çdo shqiptari dhe komunitetit ndërkombëtar se çfarë përfaqëson në realitet farsa elektorale e 11 Majit 2025. Farsa më e shëmtuar e zhvilluar që nga rënia e Perdes së Hekurt gjer sot në Europë,” tha Berisha. 

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts