Sport

Serbia zbulon lojtarët që do të vijnë në Tiranë më 7 qershor, mungojnë “yjet”!

Trajneri i përfaqësueses së Serbisë, Dragan Stojkoviç, ka publikuar listën paraprake të futbollistëve për dy ndeshjet e para të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, ku bie në sy rikthimi i disa emrave të njohur dhe përfshirja e lojtarëve të rinj nga kampionati vendas.

Serbia do të përballet me Shqipërinë më 7 qershor në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, një ndeshje që do të luhet pa praninë e tifozëve serbë për shkak të një ndalimi të vendosur nga UEFA pas incidenteve të mëparshme. Tri ditë më vonë, më 10 qershor, Serbia do të luajë kundër Andorrës në stadiumin “Dubočica”, në Leskovc.

Një nga surprizat më të mëdha të listës është rikthimi i Aleksandar Katai, sulmues i Crvena Zvezda-s, i cili nuk kishte qenë pjesë e kombëtares që nga viti 2020. Katai ka shënuar 77 gola në 138 ndeshje për klubin e tij që nga viti 2020, duke treguar një formë të shkëlqyer që ka bindur trajnerin Stojkoviç për ta rikthyer në ekipin kombëtar.

Përveç Katai, në listë janë përfshirë edhe disa lojtarë të rinj nga Superliga serbe, si portieri Dragan Rosiç (Vojvodina), mesfushori Petar Staniç (TSC) dhe sulmuesi Milutin Vidosavljeviç (Radnički 1923), të cilët kanë treguar paraqitje të mira në kampionatin vendas.

Në listën paraprake mungojnë disa emra të njohur si Dušan Tadiç, Filip Kostiç dhe Sergej Milinković-Savić, të cilët kanë pasur mosmarrëveshje me trajnerin Stojkoviç dhe nuk janë më pjesë e planeve të tij për kombëtaren.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts