Politika

Vizita e Starmer/ Mediat britanike: Qëllimi kryesor, dërgimi i emigrantëve në Shqipëri

Kryeministri britanik, Keir Starmer do të vizitojë sot Shqipërinë.

Por ndryshe nga sa reklamojnë mediat qeveritare, qëllimi kryesor i kësaj vizite do jetë plani për të sjellë në Shqipëri emigrantët që kapen ngë Britani.

Kështu raporton e përditshmja britanike ‘The Sun’.

“Sir Keir Starmer do të zhvillojë bisedime me Shqipërinë mes thirrjeve të reja për të dërguar emigrantët e paligjshëm jashtë vendit.

Pavarësisht se e anuloi skemën për Ruandën, zyrtarët britanikë kanë hartuar plane për të dërguar emigrantët në shtetin ballkanik.

Vitin e kaluar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se kryeministri britanik ishte “shumë i interesuar” për një marrëveshje si ajo ku Italia deporton emigrantët në Shqipëri për përpunim.

Sir Keir ka deklaruar se do të shqyrtojë çdo opsion për të ndaluar fluksin e paligjshëm duke dekurajuar emigrantët që të kalojnë Kanalin.

Megjithatë, marrëveshja italiane është penguar nga sfida ligjore, me Mbretërinë e Bashkuar që po ndjek nga afër përfundimin e saj.

Kryeministri ndodhet në kryeqytetin shqiptar përpara një samiti evropian që do të mbahet nesër në Tiranë.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri nga një kryeministër britanik.

Sir Keir shpreson të rrisë bashkëpunimin me Shqipërinë, nga e cila vijnë një numër i konsiderueshëm emigrantësh në Britani me gomone.

Vizita ndodh në një javë të ngarkuar kalimesh, ku mbërritjet nga Franca kanë arritur në 12.699 deri tani këtë vit — 30 përqind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sir Keir dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama do të shpallin masa për të goditur trafikun e qenieve njerëzore, përfshirë përdorimin e dronëve britanikë për të monitoruar kriminelët që kalojnë emigrantë përmes rajonit,” shkruan gazeta.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts