Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka shprehur dyshime të thella mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit në vendin tonë, duke i cilësuar ato si një proces të manipuluar dhe jo përfaqësues të vullnetit të qytetarëve.
Në një prononcim të bërë për MCN TV, Roshi denoncoi parregullsi të rënda, duke përmendur kuti votimi të dëmtuara, fletë votimi me ngjyra të ndryshme dhe të palosura nga e njëjta dorë – të gjitha këto sipas tij tregojnë për manipulim të rezultatit.
Roshi theksoi po ashtu se opozita nuk ka për detyrë të funksionojë si një “shtet paralel” për të garantuar zgjedhje të lira, pasi kjo është përgjegjësi e qeverisë. Ai shtoi gjithashtu se partitë e vogla nuk janë përfshirë në zgjedhje për të siguruar mandate, por për të ndërhyrë në mënyrë destruktive në proces.
Artur Roshi: Unë do t’i quaja votime, por jo zgjedhje. Zgjedhjet janë për të zgjedhur të ardhmen e vendit nëpërmjet qeverive që pretendojnë të aplikojnë programet e tyre që anonçojnë gjatë fushatës.
Unë dyshoj shumë në këtë lloj procesi. Është një proces që për mua është i vjedhur tërësisht. Ne kemi parë kuti të cilat kanë qenë të dëmtuara, kemi parë fletë votimi me ngjyra të ndryshme, kemi parë fletë votimi të palosura nga e njëjta dorë.
Opozita nuk ka detyrë të jetë një ‘shtet’ i njëjtë paralel me qeverinë. Është detyrë e qeverisë të bëjë zgjedhje të lira. Partitë e vogla nuk u futën në zgjedhje për të bërë mandate. Ato u futën për të prishur punë.












