Politika

Zgjedhjet 2025/ Ja çfarë po ndodh, incidentet, problematikat dhe pjesëmarrja

Qytetarët shqiptarë u janë drejtuar ditën e sotme qendrave të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë, ndërsa 2.046 kandidatë garojnë për 140 vende në Parlament.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, për të vijuar më tej me procesin e numërimit të votave.

Të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.

114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë. Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.

Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.

Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.

  • Votojnë liderët politikë

Kreu i PD Sali Berisha ka votuar në shkollën “Kosova” në Tiranë rreth orës 10:00 ndërsa kryeministri Edi Rama në zonën e Surrelit, rreth orës 10:30. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, votoi i veshur kuq e zi në ambientet e IEVP “Jordan Misja”.

Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, votoi në orën 08:30, pranë Çerdhes nr. 13 në Njësinë 8, në rrugën Demir Gashi. Po në të njëjtën orë, kryetari i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj votoi në Shkollën e Mesme Ekonomike, në rrugën ‘Myrtezim Këlliçi’.

Gjithashtu, në orën 11:00, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, së bashku me bashkëshorten e tij, votuan në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, në Njësinë 5 në Tiranë.

  • Pjesëmarrja deri në orën 12:00

Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 12:00 pjesëmarrja në rang vendi është raportuar në 21.95%. Të dhënat janë mbledhur nga 1389 qendra votimi, nga gjithsej 5225 në të gjithë vendin.

Në këto qendra, nga 930,271 zgjedhës në listat përkatëse, kanë votuar 119,697 persona.

  • Sot dërgesa e fundit me votat e diasporës, Celibashi: Numri mund të shkojë në 200 mijë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat deklaroi se janë 185 679 zarfe të mbërritur në KQZ nga diaspora.

Celibashi theksoi se veç tyre janë edhe 2 502 zarfe të tjerë të cilët janë konsideruar si të parregullta, por që gjithsesi edhe këto zarfe do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga grupet e numërimit dhe nga komisioni i vlerësimit të votave nga jashtë.

Ndër të tjera kryekomisioneri bëri edhe një parashikim, ku u shpreh se sipas tij numri i zarfeve nga jashtë bashkë me dërgesën që do të vijë sot mund të shkojë në 200 mijë votues.

 “Deri tani janë 185 679 zarfe të mbërritur në KQZ. Në fakt është pak më i madh ky numër. Janë edhe 2502 zarfe që janë administruar në kutinë e posaçme dhe janë konsideruar sipas parashikimit të ligjit dhe akteve të komisionit rregullator si të parregullta, por gjithësesi edhe këto zarfe do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga grupet e numërimit dhe nga komisioni i vlerësimit të votave nga jashtë. Pra janë 185 679 dhe 2502. Presim sot janë në ditën e fundit një dërgesë të zarfeve nga të gjitha vendet. Akoma nuk e kemi informacionin nga DHL se sa është numri. Po kemi rakorduar me to që mbërritja të jetë jo më vonë se ora 17:00 për të mundësuar që të gjitha këto fletë votimi që do të mbërrijnë sot të marrin vulën e hyrjes para orës 19:00. Besoj se do të shkojë mbi 200 000 numri i votuesve nga jashtë”, u shpreh Celibashi.

  • Problematikat gjatë procesit të votimit

Në njësinë administrative në Labinot Fusha, në njërën nga dy qendrat e votimit, procesi i votimit ka nisur tre orë me vonesë. Shkak është bërë mungesa e një operatori teknik, i cili do të vinte në zbatim pajisjen e identifikimit biometrik për qytetarët.

Dy procedime penale ka nisur prokuroria e Elbasanit sot teksa mësohet se njëri rast ka të bëjë me fotografimin e votës dhe një rast tjetër me votim familjari në Bradashesh. Policia bën me dije se një grua M.C., 56 vjeç ka fotografuar votën e saj gjatë procesit të votimit në lagjen “5 Maj”.

Një 56-vjeçare në Tiranë është arrestuar nga policia, pasi ka fotografuar fletën e votimit. Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë në Komisariatin Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se një shtetase në shkollën “Ali Demi” kishte fotografuar votën dhe më pas ishte larguar, organizuan punën, identifikuan, shoqëruan dhe arrestuan në flagrancë shtetasen A. H., 56 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.

Po ashtu, në një tjetër rast, shërbimet e Policisë të Komisariateve Nr. 3 dhe Nr. 4, kanë shoqëruar dy shtetas, pasi dyshohet se kanë fotografuar fletën e votimit. Aktualisht, ndaj tyre po kryhen veprimet hetimore dhe procedurale nën drejtimin e Prokurorisë.

  • Opozita: Njerëz të armatosur në qendra votimi në Lushnjë

Opozita ka denoncuar gjatë gjithë ditës së sotme mënyrën se si po vepron mazhoranca për të manipuluar zgjedhjet e 11 majit.

Kandidati i PD, Saimir Korreshi tha se ka grupe të armatosura që përpiqen të intimidojnë qytetarët në Lushnjë.

“Janë të armatosur nëpër qendra, sa herë futet një makinë që s’e njeh fusin duart, ia kam dërguar shefit të komisariatit, u përballa me 3 grupe, nuk janë as nga zona. I kemi me surrat, makinat e të gjitha, sa tentohet të hyet, ky fuste dorën në marsup, është një Golf dhe një Benz, asnjë s’është nga Lushnja, çdo makinë bën patronazhimin, kë s’njohin tentojnë ta intimidojnë”, tha Korreshi.

  • SPAK regjistron 4 raste për krime zgjedhore në Berat

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar 4 raste për krime zgjedhore në qarkun e Beratit.

Rastet e regjistruara janë për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Kjo vepër penale parashikon dënim nga 1 deri në 5 vite heqje lirie.

  • Kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR: Të hënën paraqesim raport

Lamberto Zannier, kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR ka bërë një deklaratë për shtyp nga KZAZ nr. 41. Ai tha se janë duke e  parë procesin në pozicionin e vëzhguesit dhe do të ketë një përfundim përmes një raporti. Të hënën në orën 15:00 do të paraqitet raporti përmes një konference për shtyp.

“Ne jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për të vëzhguar që këto zgjedhje janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e Shqipërisë kundrejt BE-së. Kjo është një nga qendrat e shumta të votimit ku jemi ne sot. Si OSBE-ODIHR ne kemi 240 vëzhgues por gjithashtu janë  135 të tjerë që janë nga vendet anëtare të OSBE dhe janë nga Parlamenti Europian. Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit por ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Sigurisht ne kemi vëzhguar edhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit. Nesër do të kemi një konferencë për shtyp. Konferenca do të jetë nesër në orën 15:00 në “Rogner” dhe jeni të gjithë të ftuar aty. Nuk do të ishte domethënëse nëse do t’ju jepja një mendim sot sepse unë jam vetëm një person në një qendër votimi për momentin. Sigurisht që unë jam duke mbledhur informacion dhe kam ardhur në këtë qendër votimi sepse është një nga angazhimet e Shqipërisë që 10% e votimit të jetë elektronik. Një pjesë e vlerësimit tonë do të jenë edhe procedurat e votimit elektronik”.

I pyetur se ç’mendon për faljen e gjobave të makinave nga kryeministri Rama dy ditë para zgjedhjeve,  Zannier tha:

“Nuk mund të flasim për çështje individuale për raste specifike. Do të flasim për këtë nesër kur të bëjmë vlerësimin”.

Ai vlerësoi bashkëpunimin me KQZ duke e quajtur “transparent” dhe “të drejtë”.

“Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me KQZ. Në këndvështrimin tim deri tani është shumë transparent dhe shumë i drejtë ky bashkëpunim”.

Gazetarët e pyetën edhe për rastet e blerjes së votave, por ai sërish tha se gjithçka do të reflektohet në raport.

“Ju e keni  parë raportin tonë paraprak ku  kemi thënë që ne po i ndjekim çështjet që janë vëzhguar më  përpara dhe nesër do të paraqesim vëzhgimin tonë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts