Kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me gjimnazistë, ku sipas Roshit, u përdor një gjuhë jo vetëm e papërshtatshme për një figurë publike, por edhe e rrezikshme në mesazh.
Ai e cilësoi referencën e Ramës ndaj termit “Rama nudo” si promovim të sjelljeve të paligjshme si nudizmi, ndërkohë që paradoksalisht, vetë kryeministri ka deklaruar mbylljen e TikTok-ut për shkak të përmbajtjeve të papërshtatshme si dhuna, veset dhe perversitetet.
“Po kryeministri tha se po mbyll TikTok sepse na shthuret rinia, promovohen dhuna,veset, perversitetet. Po kjo që ai tha se kërkoni “Rama nudo” ça do të thotë ?
Ku ndryshon kjo që ai promovon nga ajo që ai druhej se promovonte TikTok ?”, shkruan Roshi në FB.
Sipas tij, qëndrimi i Ramës është i pabesueshëm dhe tregon se ndalimi i TikTok-ut është një vendim politik e jo moral, pasi platforma nuk i shërben më interesave të tij elektorale.
Roshi shton më tej se një kryeministër që përdor një gjuhë të tillë në praninë e të miturve nuk mund të pretendojë se mbron vlerat apo edukon rininë.













