Në takimin e zhvilluar me kreun e Partisë Demokratike, zëvendëspresidenti i Urdhrit të Mjekëve Veterinarë, Shemsho Lamaj, ka ngritur shqetësime të thella mbi situatën e sigurisë ushqimore në vend, duke e konsideruar këtë çështje si një element thelbësor të sigurisë kombëtare.
Në fjalën e tij, Lamaj theksoi se siguria ushqimore nuk është thjesht një çështje teknike apo institucionale, por një domosdoshmëri që lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Ai vuri në dukje dështimin e strukturave ekzistuese, si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, dhe kërkoi reformim të thellë e të menjëhershëm të sistemit, duke i dhënë rol qendror profesionistëve të fushës dhe duke e vendosur këtë çështje nën mbikëqyrjen direkte të Kryeministrit, me një strategji afatgjatë për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.
Shemsho Lamaj: Të flasësh për sigurinë ushqimore është një nga temat më të nxehta dhe që profesionistët tanë i inspiron më shumë dhe ka ndjeshmëri më të lartë. Me kënaqësinë më të madhe erdha në këtë takim për të shprehur opinionet tona, të cilat për hir të vërtetës nuk janë vetëm të miat por dhe gjithë profesionistëve veterinerë.
Të flasësh për sigurinë ushqimore, më pëlqeu shumë që u kategorizua dhe më në fund po shkon tek siguria kombëtare. Ku ka ndryshim një kriminel që vret nga një që vret në mënyrë të heshtur me helme. Prandaj, siguria kombëtare dhe struktura e sigurisë kombëtare sot, duhet të ndryshojë katërcipërisht. Ajo AKU që u themelua në vitin 2010, e ka mbyllur tashmë misionin, ka dështuar me turp dhe duhet shkrirë urgjentisht.
Ajo nga raporti që kishte 90% duhet të ishin profesionistë mjekë veterinerë, agronom, biokimist, si dhe teknologë ushqimor. Ky raport është përmbysur dhe është në favor 80 % të militantëve, ndoshta të elektricistëve, të juristëve, duk e di çfarë tjetër, kuzhinierëve e nuk e di çfarë. Por, jo të profesionistëve.
Për ta kapur problemin atje ku i takon apo si me thënë, siç thotë populli demin nga brirët, mos ta kapim nga bishti. Që do të thotë që, siguria ushqimore të jetë siguri kombëtare dhe të varet drejtpërsëdrejti nga Kryeministri me një task-Forcë ndoshta dhe me një si të thuash me një afat kohor 5-10 vjeçar deri sa gjërat të stabilizohen. Sepse në delegim kompetencat, çështja ka dështuar me turp.













