Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po qeveris me kodin e mafias dhe ka vendosur një “omerta” totale ndaj çdo forme ballafaqimi publik apo transparence.
“Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë, përveç Kim Jong Un, që nuk pranon pyetje nga gazetarët dhe nuk ballafaqohet në debat televiziv”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar sjelljen e tij si shkelje të rregullave demokratike dhe një akt frike nga përballja me qytetarët.
Sipas tij, ndalimi i debateve televizive mes kandidatëve dhe shmangia nga çdo kontakt me median përfaqëson një regres të rëndë demokratik, duke krahasuar situatën me vitet e komunizmit, kur edhe Partia e Punës pranonte përballje publike.
Pjesë nga fjala e liderit të opozitës, Sali Berisha:
Kryeministri aktual ka kodin e mafias, është padrino. Se këtë që bën ai, ne debatin televiziv me ballafaqimin e kandidatëve, që e ka ndaluar ballafaqimin e kandidatëve, me refuzimin nga ana e tij të çdo kontakti me gazetarët, ai sot, ai dhe Kim Jong Un janë të vetmit kryeministra në botë që nuk marrin dhe nuk pranojnë pyetje nga gazetarët se nuk takohen me ta.
I vetmi. Dhe natyrisht vetë nuk pranon të ballafaqohet në studio televizive për programet. Traditë kjo të themi realitetin e krijuar, e filluar në vitin 1991 kur partia e krimit ishte parti pune, por vendosën të respektojnë disa rregulla elementare të transparencës dhe në atë kohë ballafaqoheshin për programin përfaqësuesit tanë dhe përfaqësuesit e Partisë së Punës, në televizionin shtetëror se ishte mjeti i vetëm.
Kurse sot ai ka ndaluar, omerta, kodi i mafias. Çdo lloj komunikimi.
Pra ai po zbaton haptas, kodin e omertas dhe është i pashpresë. I pashpresë.












