Politika

Berisha nga Italia: Chris LaCivita erdhi për të rikthyer PD-në në pushtet, jo për para…

Në një takim të ngrohtë me emigrantët shqiptarë në Breshia, Itali, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme të diasporës dhe vlerësoi përfshirjen e strategut amerikan Chris LaCivita në fushatën e PD-së për zgjedhjet e 11 majit.

“Chris LaCivita nuk erdhi për para. Ai kishte oferta më të mëdha nga opozita të tjera, por zgjodhi Partinë Demokratike dhe kauzën tonë. Ai erdhi për të rikthyer PD-në në pushtet,” deklaroi Berisha.

Duke e cilësuar LaCivitën si “bashkëarkitektin e fitores historike të Donald Trump”, Berisha theksoi se ardhja e tij në Shqipëri në shkurt shkaktoi shqetësim të madh në kampin qeveritar: “Edi Rama i ra tavolinës me grushte. Vetëm sa nuk i ra me kokë.”

Berisha vlerësoi zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare, duke përmendur se “këtë javë në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Parlamentit Europian, u mbajt një seancë e posaçme për Shqipërinë, ku u denoncuan:

Dhunimi i zgjedhjeve të kaluara,
Dhuna ndaj opozitës,
Përqendrimi i pushtetit në duart e një njeriu,
Shkrirja e shtetit me krimin.
“Europa ka kthyer sytë nga 11 maji, nga vota juaj dhe fitorja që po afron,” u shpreh Berisha.

“Ju në Breshia ishit frymëzimi ynë. Ju e nisët entuziazmin e kësaj fushate. Ishit ju që i dhatë zemër, shpirt dhe shpresë shqiptarëve. Kurrë më parë nuk është parë një mobilizim i tillë si në sheshin ‘Nënë Tereza’, në hapjen e fushatës.”

Berisha përfundoi fjalimin duke e cilësuar PD-në si forcën e ringritjes dhe të idealeve të vërteta demokratike, e cila po përgatitet për një fitore të madhe më 11 maj: “Ne do të shpëtojmë Shqipërinë nga diktatura dhe narkoshteti i vetëm në Europë.”

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts