Gazetari Enton Abilekaj, qëndrimet e bëra nga kryeministri Rama gjatë takimit të sotëm me gratë, I cilëson si “recitivist politik pa ide të reja” dhe shembull të një “patriarku anadollak” që ushtron ndikim negativ në shoqëri.
Në intervistën e dhënë në SYRI TV, Abilekaj kritikoi ashpër faktin që Rama flet për procese demokratike si primaret e zhvilluara në PD, ndërkohë që në partinë që vetë ai drejton ka zhdukur konceptin e zgjedhjeve dhe përfaqësimit real.
Më tej, Abilekaj foli edhe për sjelljen e Ramës ndaj grave në politikë, duke e konsideruar të gjithë qëndrimin e tij si një patriarkalizëm të vonuar, të sëmurë dhe fyese ndaj figurës së gruas, ku ato “rreshtohen për duartrokitje” dhe përdoren si dekor politik.
Enton Abilekaj: Nuk mund të kesh diçka më ndryshe nga një njeri që ka mungesë idesh të theksuara, mungesë idesh të reja dhe është bërë një recitivist në të gjitha kuptimet. Por ajo që më bëri përshtypje që flet për primaret, për një palë zgjedhje që u kryen në Partinë Demokratike, një njeri që në forcën e vetë politike ka zhdukur zgjedhjet me ligj, nuk ekziston asnjë palë zgjedhje që njerëzit provojnë edhe sa mbështetje kanë nga anëtarësia ose nga simpatizantët.
Dhe pikërisht për këtë arsye ai, mendoj që do prekte kandidatët e Kavajës me zgjedhjet në primare ku kryetari i PD-së Kavajë doli i pari, por nuk ishte në listën e mbyllur dhe nuk pranoi për të qenë në listën e hapur. Gjithsesi, nëse një proces demokratik siç është votimi ka disa të meta më pas, është gjithmonë më i mirë sesa një sistem ku nuk votohet kurrë.
E dyta është që, në mes të grave që e duartrokasin në mënyrë servile, zoti Rama flet për patriarkalizmin, ndërkohë që nuk ka shembull më të keq, më të shëmbuar e më të shpifur patriarkalizmi sesa ky që pamë deri tani, ku një burrë dhunues i gjithçkaje, i çdo vlere rreshton gratë atje për ta duartrokitur sot. Dhe i flet me pseudonimin ‘mamica’ kryetares së parlamentit, e cila e detyruar e duartroket gjithashtu.
Është një denigrim i vazhdueshëm ndaj figurës së gruas i vjetër, me ide të vjetra, me batuta të vjetra dhe me mesazhe të vjetra. Të cilat nuk kanë ndikuar, madje kanë ndikuar negativisht edhe në shoqëri sepse kjo mbështetja ndaj grave e zotit Rama që është patriarkalizmi më i shpifur që ekziston, është reflektuar në shoqëri ashtu siç është në fakt, jo ashtu siç Rama mundohet ta shesë. Është reflektuar në shoqëri si patriarkalizëm, nuk ka ndikuar në nxitjen e rolit të grave dhe se gratë aty përdoren si kukulla, në shërbim të një burri i cili i ka rreshtuar aty në mënyrën më të pasjellshme të mundshme dhe më të parespektueshme të mundshme.
Kjo sjellje prej patriarku anadollak ka ndikuar në shoqëri gjithashtu, sepse Shqipëria është një vend i vogël dhe sigurisht që shembulli i një patriarku anadollak që është në krye të qeverisë, ndikon shumë në shoqëri.













