Politika

Berisha, thirrje demokratëve: Me Bravën nuk ju lidh asgjë, atë e lidhin transaksionet me Ramën! Prandaj bashkohuni me ne

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje të fortë për bashkim të demokratëve dhe qytetarëve të Elbasanit, duke theksuar se me ‘bravën’ nuk i lidh asgjë, përveç marrëdhënieve të tij me Edi Ramën.

Berisha ka ftuar shqiptarët të bashkohen rreth një programi që përfshin rritjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shndërrimin e prodhimit në krenari kombëtare. Ai ka kritikuar qeverisjen e Ramës dhe përpjekjet e tij për të krijuar “satelitë” që i shërbejnë interesave të tij, duke shtuar se Edi Rama ka dështuar të asgjësojë PD-në.

Berisha u ka bërë thirrje demokratëve të Elbasanit që të bashkohen me partinë dhe të mbështesin kandidatët e rinj, duke e konsideruar PD-në shtëpinë e vërtetë të demokratëve. Ai gjithashtu ka theksuar se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe ka paralajmëruar se më 12 maj do të vijë fundi i qeverisjes aktuale, duke siguruar fitoren për PD-në dhe një të ardhme më të ndritur për vendin.

Një pjesë nga fjala e Berishës:

Miq, pra ne kemi një program me të cilin ne duhet të trokasim në çdo zemër.
Ku jemi ne sot? Ai na i ka mbyllur televizionet që i kontrollon me leje ndërtimi.
Ai mbylli TikTokun nga frika dhe tmerri i të rinjve që e kritikonin çdo ditë për arrogancën e tij.
Ai bën gjithçka që ne të mbetemi të izoluar.
Por ne kemi një armë në duart tona, njerëzinë për të trokitur në çdo zemër shqiptare, në çdo vatër, në çdo derë, me këtë program për të biseduar me të, se nuk është program as i këtij, as i atij, por është program i çdo shqiptari.
Ju e patë vetë reagimin e tregtarëve dje në treg. Cili ishte? Mirënjohje ishte. Mirëkuptim ishte. Besim ishte.
Prandaj të shkojmë t’u themi kudo se nuk synojmë asgjë tjetër, veçse që shqiptarët të punësohen dhe të marrin rroga më të larta. Të rritet mirëqenia e tyre.
Pra, ky është programi që kujdeset për të varfrit, që shndërron prodhimin në krenari kombëtare, që zëvendëson mafien me ligjin, pa të cilat kombi nuk bëhet dot.
Ky është programi i të gjithë shqiptarëve.
Miq, këtu ka parti të ndryshme. Këtë program ftojmë çdo qytetar ta votojë.
Edi Rama u përpoq pasi dështoi në asgjësimin e PD, në asgjësimin e PD, bëri gjithçka për të krijuar biza, duke krijuar satelitë dhe paterica.
Por ju e patë vetë, por sidomos e kam fjalën për të gjithë demokratët e Elbasanit, dhe kur them të gjithë demokratët e Elbasanit, pa përjashtim nga dita e themelimit gjer sot, bashkohuni me këta deputetë.
Se ju o demokratë, me Bravën nuk iu lidh asgjë. Atë e lidhin transaksionet me Ramën, kurse ju i keni investimet në PD.
Bashkohuni, votoni këta deputetë dhe u garantoj se PD është shtëpia juaj.
Së fundmi, dy fjalë, Edi Rama dhe altoparlantët e tij u thonë shqiptarëve se Sali Berisha ka 34 vjet në politikë.
Tani, e tregova edhe një ditë në një studio televizive, e vërteta është se Edi Rama është njeriu më jetëgjatë pa u largua nga politika asnjë ditë.
Por unë, kryeministër, u gjeta në një darkë në Gjermani, ku në tryezën time, krahas mikpritësit që shtroi darkën, ishte një këshilltar shumë i njohur, një ekonomist i madh i disa presidentëve amerikanë, Pol Uolker.
I zoti i shtëpisë më paraqet tek ai për reformat që kishim bërë, taksën e sheshtë, etj. Dhe i thotë, ka qenë president dhe kryeministër. Ai kthehet dhe më thotë, si Putini.
Unë i them, pak më ndryshe. I thashë, unë kam ndenjur 8 vite në opozitë. Kurse Putini kaloi nga president në kryeministër. U mërzit që ma tha atë fjalë, por mbeti mik gjithmonë me mua.
Tani, i lëmë këto.
U them tjetrën, Sali Berisha kishte dorëzuar çdo pushtet, vazhdonte rrugën në vjeshtën e tij, i qetë, por natyrisht avokat i interesit publik siç duhet të jetë çdonjëri prej nesh, pa asnjë ambicie për pushtet.
Në këtë moshë nuk ka ambicie pushteti, por nuk ka as ambicie për para. Ambiciet janë krejtësisht të tjera.
Mirëpo një ditë, pasi ndërmori intrigat që ndërmori kundër meje, zgjodha të luftoj vetëm. Shoh unë pastaj që do të vendosë opozitën nën kontroll.
Tani unë u them çdo shqiptari, demokrat, socialist, çfarëdo qoftë ai, a duhet vendi të ketë një opozitë, apo të ketë një lolo-opozitë siç bën dot Basha me Ramën? Më thoni pak.
Atë nuk e pranonit ju, atë nuk mund ta pranojë unë kurrë.
Shqipëria duhet të ketë një opozitë të vërtetë.
Dhe u bënë të gjitha përpjekjet për të na zhdukur, sot jemi më të fortë se kurrë, më të fuqishëm se kurrë.
Sot, Edi Rama i hape gropën opozitës, të jap fjalën e nderit se në atë gropë do biesh vetë me datën 12 maj.
Rrofshi ju, rroftë Elbasani.
Fitore, fitore, fitore!

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts