LajmePolitika

‘Numri përfundimtar i votuesve të diasporës është 245, 935’, Celibashi: 9.2 milionë Euro për postën DHL

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka ndarë detaje të rëndësishme mbi votimin e diasporës. Gjatë fjalës së tij, ai bëri të ditur se numri përfundimtar i votuesve nga jashtë, pas verifikimeve teknike, është 245,935. Po ashtu, Celibashi ka njoftuar se vlera totale e kontraktimit me operatorin shpërndarës DHL për dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit është 9.2 milionë Euro.

“Sa i përket votimit nga jashtë ashmë e kemi të zgjedhur edhe operatorin e shërbimit postar. Do të jetë kompania DHL Internacional Albania shpk, që do ta kryejë shërbimin e dërgimit të fletëve të votimit tek votuesit dhe kthimit mbrapsht në KQZ. Koston e paguan shteti shqiptar nga buxheti i shtetit. Vlera totale e kontraktimit me këtë operator është 9.2 milion Euro, pra nga 12.5 milionë Euro që ishte fondi i vënë në dispozicion KQZ për koston e këtij shërbimi ne do të paguajmë 9.2 milionë Euro me  një çmim mesatar për dërgesë vajtje ardhje 37.52 Euro.

Sot besoj formalizojmë edhe në një kontratë këtë marrëdhënie mes KQZ dhe këtij operatori. Ka filluar procesi i printimit të fletëve të votimit për votimin jashtë vendit dhe besojmë se nga komunikimi që është duke prodhuar këto fletë votimit, kompaninë sllovene po prodhohen në Slloveni fletët e votimit si për votimin brenda vendit po ashtu edhe jashtë, por kemi nisur me printimin e fletëve të votimit për jashtë vendit. Besoj që midis datave 7 dhe 8 do të kemi fletat e votimit për jashtë dhe midis datës 8, 9 dhe 10 do të fillojmë përgatitjen për zarfet dhe çdo dokumentacioni tjetër i cili do tu dërgohet votuesve jashtë vendit, duke shpresuar që gjithë ky proces të bëhet brenda datës 15 Prill. Është kohë e mjaftueshme sipas parashikimeve kontraktuale që kemi me operatorin e shërbimit postar për të dërguar zarfat, për tu dhënë kohë 3, 4 apo më shuam ditë zgjedhësve nga jashtë për të vendosur dhe koha për tu kthyer mbrapsht në KQZ”, deklaron Komisioneri Celibashi.

Celibashi sqaroi se printimi i fletëve të votimit ka nisur dhe do të realizohet nga një kompani sllovene, si për votat e diasporës ashtu edhe për ato brenda vendit. Fletët e votimit për jashtë pritet të jenë gati midis datave 7 dhe 8 prill. Përveç kësaj, Celibashi njoftoi se është duke u përgatitur një tutorial dhe një spot informativ për votuesit e jashtëm, që do të bëhen publike brenda disa ditësh.

Në lidhje me organizimin e procesit të numërimit të votave nga jashtë, Komisioneri theksoi se do të jetë në Pallatin e Sportit, në Parkun Olimpik të Tiranës, dhe do të mbikëqyret nga media dhe vëzhgues. Ai theksoi gjithashtu se procesi do të jetë i monitoruar me kamera 24/7, duke siguruar transparencën e tij.

“Jemi duke përfunduar një spot dhe tutorial për gjithë sa do duhet të dijë dhe bëjë votuesi nga jashtë dhe me shumë mundësi brenda dy apo tre ditëve do të bëhet publike përmes mediave. Ndërkohë po ndërtojmë një sistem ndihmës për këshillim të votuesve nga jashtë.

Kemi përcaktuar tashmë edhe vendin e numërimit për votimin nga jashtë. Do të jetë pallati i sportit tek parku Olimpik i Tiranës. Do të jetë i aksesueshëm dhe i mbikëqyrur nga media dhe vëzhgues. I monitoruar me kamera live në 24/7. Numri përfundimtar i votuesve nga jashtë është 245, 935 zgjedhës”, shprehet Celibashi.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts