Politika

Berisha: Do vendosim bonuse për fëmijët si shtesë në rrogë! Ne do ndjekim politikën favorizuese të fëmijës së tretë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur një sërë masash të reja që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, duke përfshirë bonuse për fëmijët dhe uljen e çmimit të naftës.

Gjatë takimit në fasonerinë në Durrës, Berisha theksoi se do të implementohet një sistem bonusi për fëmijët, ku shtesa në rrogë për fëmijën e parë do të jetë 70 euro, për të dytin 60 euro, ndërsa për fëmijën e tretë, nga lindja deri në moshën 23-vjeçare, do të mbulohet çdo shpenzim.

Po ashtu, Berisha premtoi uljen e çmimit të naftës me 40%, duke akuzuar qeverinë për tatimin e lartë që e bën më të shtrenjtë se në vende të tjera, si Kosova. Ndër të tjera, ai paralajmëroi se do të rritet paga minimale në 500 euro dhe do të krijohet një kartë konsumatori që do të ofrojë ulje për produktet bazë dhe shërbimet. Për të rinjtë dhe ata që janë larguar nga Shqipëria, Berisha premtroi një politikë nxitëse për kthimin e tyre, duke i lejuar ata të punojnë pa asnjë taksë për pesë vjet.

Pjesë nga fjala e liderit të PD, Sali Berisha:

Do ulim naftën. Ata që nuk kanë vetura, mund të thonë se ç’na duhet nafta.

Çdo njeri paguan në çmimin e naftës.

Ata që nuk kanë vetura,e paguajnë në transportin që bëjnë me autobus, e paguajnë në çmimet që blejnë në dyqane. Sepse rritja e çmimit të transportit rrit çmimet e mallrave që blejnë.

Ne kemi çmimin më absurd. Nafta vjen në Durrës me anije. Në Kosovë shitet 30-40 përqind më lirë. Këtu shitet 30-40 përqind më shtrenjtë.

Po pse shitet më shtrenjtë? Sepse qeveria e taton naftën 1.1 euro.

Qeveria u merr nga xhepi qytetarëve për një litër naftë nga 1 euro. Kjo është hata e vërtetë. Kjo do hiqet.

Nafta do tatohet njëlloj sa në Kosovë dhe Maqedoni dhe çmimi i saj do bjerë minimumi me 40 përqind.

Punonjësit me rroga të ulëta 500 euro do kenë së bashku me pensionistët kartën e konsumatorit. Kjo do jetë kartë konsumatori, që ju të mund të merrni TVSH-në e të gjitha gjërave bazë që blini nga shteti, kundrejt kuponave që dorëzoni, dhe kjo shkon në 450 euro në vit, shkon përafërsisht sa një rrogë, kurse me pensionin shkon sa dy pensione.

Pra ne duam të ndryshojmë në mënyrë rrënjësore gjendjen, jetesën, mirëqenien e qytetarëve.

Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro, por ne në dialog dhe bashkëpunim me sipërmarrësit, do bëjmë gjithçka që kjo të mos dëmtojë sipërmarrjet.

Sepse t’i çosh sipërmarrjet drejt falimentimit është një marrëzi.

Ne do kemi një dialog me sipërmarrësit se çfarë duhet t’i kompensojmë që të kenë rrogë minimale 500 euro.

Përveç kësaj, nga qeveria do keni kartën e konsumatorit ku do i merrni ushqimet me një vlerë minus 20 përqind. Pra do merrni taksën e TVSH-së.

Do ketë bonuse për fëmijët si shtesë në rrogë. Shtesa në rrogë për fëmijën e parë nga qeveria do të jetë 70 euro, për të dytin 60 euro, për fëmijën e tretë, nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare, qeveria do marrë përsipër çdo shpenzim. Ne do ndjekim politikën e fëmijës së tretë sepse ne u shkatërruam.

Kjo politikë e fëmijës së tretë i ka shpëtuar kombet në histori. I ka shpëtuar nga zvogëlimi i tyre i madh.

Sikundër do bëjmë gjithçka që fëmijët, djemtë, vajzat, ata që janë larguar në mërgim, ata të kthehen në Shqipëri.

Do bëjmë një politikë sa të mundemi nxitëse për kthimin e tyre.

Pesë vjet do jenë pa asnjë taksë.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts