Kuvendi miratoi dje me 74 votat e mazhorancës marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila parashikon financimin për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Shqyrtimi i marrëveshjes u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban të dhëna të klasifikuara. Opozita nuk mori pjesë në seancë, ndonëse Partia Demokratike ka deklaruar se e mbështet marrëveshjen në parim, po duke kundërshtuar procedurën e përshpejtuar të ndjekur për miratimin e saj, pasi e konsideron antikushtetuese.
Përtej përmbajtjes së marrëveshjes, votimi ka sjellë në vëmendje edhe një detaj që ngre pikëpyetje për qëndrimin e disa figurave të rëndësishme të mazhorancës.
Në një moment të shkëputur nga votimi me karton, tre deputetë të Partisë Socialiste, të cilët kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeverisje dhe në Kuvend, nuk shihen si pjesa dominuese e socialisteve duke ngritur kartonin jeshil në mbështetje të marrëveshjes.
Bëhet fjalë për ish-kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, ish-ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Pamjet, megjithatë, nuk mund të konsiderohen si provë përfundimtare për mënyrën se si kanë votuar tre deputetët. Kjo pasi rezultati zyrtar i votimit përcaktohet nga sistemi elektronik dhe procesverbali i Kuvendit.












