Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me takim me Christian Forneck, këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, në selinë blu.
Në një dalje për mediat, Berisha zbardhi edhe detaje nga takimi dhe diskutimi me Forcneck, duke deklaruar se në fokus ka qenë bashkëpunimi në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ai u ndal në situatën e brendshme në vend, duke bërë akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin e lidhi me kriminalitetin dhe trafikun e drogës.
“Informova se në Shqipëri në dallim nga Gjeorgjia dhe Bjellorusia nuk është rusi Big Brother siç është atje, por këtu është droga dhe klanet e drogës të lidhura me kreun e Meduzës që është Edi Rama. Rama dakord të intensifikojmë bashkëpunimin në interesin më të mirë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, i cili duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, sepse vetëm një proces i bazuar në meritë është interesi absolut i qytetarëve shqiptarë. Një Shqipëri epiqendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit të Evropës dhe të botës, siç cilësohet në disa raporte të DASH, është rrezik real për paqen për sigurinë në rajon dhe më gjerë. Ekzistojnë të gjitha mundësitë por jo me Edi Ramëm. Rama është udhëheqës kryesor i klaneve të drogës në Shqipëri. Ishte një diskutim i frytshëm”, deklaroi kryedemokrati.
Berisha vlerësoi gjithashtu rolin e Bundestagut gjerman në procesin e integrimit të vendeve të rajonit, duke e cilësuar atë si një institucion që ka treguar qasje serioze dhe mbështetëse, edhe në periudha skepticizmi.
“Bundestagu është parlamenti që siç e dini ka ndjekur në mënyrën më serioze dhe të përgjegjshme por edhe dashamirëse, procesin e integrimit të vendeve tona të rajonit në BE. Pse dashamirëse? Sepse dhe në kohërat e skepticizmit më të madh, ky institucion nuk ra në një skepticizëm të tillë por insistoi dhe insiston të vazhdojë bazuar në meritën. Përpjekja jonë është kjo që Bundestagu të ruajë këtë interes që ka patur për këtë proces jetik për shqiptarët. Ne jemi një forcë politike që kemi objektiv kryesor tonin integrimin në BE. Pavarësisht mashtrimeve që bëjnë lobistët e Edi Ramës apo vetë Rama. Ata përpiqet ta paraqesin sikur kjo parti nuk ka ndërmend integrimin por ka projektet e veta. Këto mashtrime kanë marrë fund dhe kanë kuptuar se ishin mashtrime të lobuara nga Rama”, tha Berisha për mediat.













