Tre ngjarje të njëpasnjëshme në Bruksel, Kiev dhe Bukuresht treguan qartë se çfarë do të thotë standard europian i përgjegjësisë politike.
Dhe në të tre rastet, mesazhi ishte i njëjtë se kur lind një dyshim serioz, funksionari largohet për t’i hapur rrugë hetimit.

Federica Mogherini
Ne Bruksel Federica Mogherini, ish-diplomatja më e lartë e BE-së, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj si rektore e Kolegjit të Evropës, pasi u ndalua në një hetim mashtrimi për favorizim të dyshuar në trajnimin diplomatik të financuar nga BE-ja.
Euractiv raporton se në një deklaratë pas një takimi të Komitetit Ekzekutiv të Kolegjit, ajo deklaroi se “në përputhje me rigorozitetin dhe drejtësinë maksimale me të cilën kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen si rektore.”
“Kam besim të plotë në sistemin e drejtësisë dhe besoj se korrektësia e veprimit të Kolegjit do të vërtetohet”, tha Mogherini në një deklaratë pasi u lirua nga paraburgimi, duke shtuar se do t’u ofrojë “bashkëpunim të plotë autoriteteve”.

Stefano Sannino
Stefano Sannino, i cili prej muajsh shërbente si këshilltar i lartë në Komision, njoftoi largimin për të shmangur çdo ndikim mbi institucionin gjatë zhvillimit të hetimit.
Edhe pse nuk ka një akuzë formale kundër tij, prania e emrit të tij në aktet paraprake të prokurorisë mjaftoi që ai të tërhiqej nga funksioni publik që mbante.
Dorëheqja e tij shihet si një lëvizje për të mbrojtur integritetin institucional të Komisionit, në një moment kur besueshmëria e BE-së në fushën e diplomacisë dhe menaxhimit të fondeve është goditur rëndë.

Andriy Yermak
Në Kiev, shefi i kabinetit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dha dorëheqjen menjëherë sapo u përfshi në dyshime për korrupsion pavarësisht se nuk ishte zyrtarisht i akuzuar.

Ionut Mosteanu
Ndërsa në Bukuresht, ministri i Mbrojtjes Ionut Mosteanu u tërhoq pasi pranoi se kishte gabuar të dhënat në CV, duke e quajtur një “gabim personal”.
Kater dorëheqje, dy standarde të qarta europiane: integriteti para karriges.

Belinda Balluku me Edi Ramen
Ndryshe nga Mogherini, Sannino, Yermak dhe Mosteanu, në Tiranë ndodh e kundërta.Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tashmë e pandehur nga SPAK për një aferë me të paktën 50 milionë euro, jo vetëm që refuzon të japë dorëheqje, por është kthyer në simbolin e mosdënimit politik.
Në vend që të tërhiqet për t’i hapur udhë transparencës dhe për të ruajtur standardet e qeverisjes, Balluku zgjedh të mbështetet te mburoja politike.
Dhe këtë simbol e mbron vetë Kryeministri Edi Rama. Rama sulmon Gjykatën Kushtetuese, akuzon pezullimin e Ballukut si “shkelje kompetencash”, relativizon rolin e gjyqësorit dhe i jep politikës statusin e “mbi ligjin”.
Rama dhe Balluku, të akuzuar për një aferë prej të paktën 50 milionë eurosh në Tunelin e Llogarasë, jo vetëm që nuk e çojnë ndërmend dorëheqjen, por e trajtojnë hetimin antikorrupsion si shkelje të kompetencave kushtetuese dhe si cënim të rëndë të privilegjit të politikanit të zgjedhur!
Teksa përpiqet të mbrojë zëvendësen e tij, Rama ka dhënë arsye se pse i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit të Ballukut, duke argumentuar se ministres po i pengohet puna.
Sipas Ramës, ka disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin.











