Kreydemokrati, Sali Berisha, duke komentuar fushatën elektorale, theksoi se kjo është fushata më e rëndësishme e jetës së tij që pas asaj të 1991. I ftuar në emisionin “Debat” në A2 CNN, Berisha tha se qytetarët shqiptarë e ndjejnë që ky rikthim i tij nuk është për karrierë. Ai theksoi se qytetarët e ndjejnë dhe e kuptojnë që është betejë kundër një të keqeje që kërkonte ta linte Shqipërinë pa pluralizëm, që po i varfëron dhe po i largon nga Shqipëria.
Berisha; Është fushata e rikthimit të shpresës së shqiptarëve, rikthimit të besimit të Shqipëria dhe në këtë kontekst është fushata më e rëndësishme që kam zhvilluar pas asaj të vitit 1991. Qytetarët shqiptarë e ndjejnë që ky rikthim i Sali Berishës nuk është për karrierë. Se ky njeri, në këtë stad të moshës së tij, nuk kthehet as për ambicien e pushtetit, as për ambicie parash. Ky kthehet për një mision. E ndjejnë dhe e kuptojnë që është betejë kundër një të keqeje që kërkonte ta linte Shqipërinë pa pluralizëm, që po i varfëron dhe po i largon nga Shqipëria.
Së dyti, ka një program, më i miri i jetës sime, që i jep përgjigjen më shteruese problemeve, që nga fëmija e sapolindur, te më i moshuari i këtij vendi. Kurrë nuk kam paraqitur një program si ky, 100% i realizueshëm. Kam pasur shumë opsione, por e kam zgjedhur për interesa më eprore, të vendit tim dhe qytetare. Në këtë aspekt është krejtësisht e pabazuar se unë u ktheva për ambicie politike. U ktheva atëherë kur kuptova se po bëhej gjithçka për të shtypur pluralizmin.













