Shqipëria përballet me një sfidë financiare pas një vendimi arbitrazhi ndërkombëtar në favor të kompanisë GBC Oil, që kërkon pagesën e rreth 13 milionë dollarëve.
Kompania financuese Omni Bridgeway, e angazhuar nga GBC Oil për të ndjekur ekzekutimin, ka fituar lejen e një gjyqtari federal në Uashington për të sekuestrore asetet e qeverisë shqiptare në SHBA.
“Një gjyqtar federal në Uashington, D.C., pranoi të lejojë financuesin e litigacionit Omni Bridgeway të sekuestrojë asetet që i përkasin qeverisë shqiptare, ndërsa kjo e fundit duket se do të zbatojë një vendim arbitrazhi që tani vlen rreth 13 milionë dollarë”, shkruajnë mediat amerikane.
Si nisi konflikti mes kompanisë dhe qeverisë shqiptare
Historia e mosmarrëveshjes midis shtetit shqiptar dhe kompanisë GBC Oil fillon në vitin 2007, kur qeveria shqiptare i dha licencë për shfrytëzimin e katër vendburimeve të naftës kompanisë Stream Oil and Gas. Bëhej fjalë për vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë.
Në vitin 2008, qeveria shqiptare vendosi të rrisë në 10% taksën minerare për kompanitë e naftës. Stream Oil kërkoi kompensim, por qeveria e refuzoi kërkesën. Si pasojë, kompania grumbulloi borxhe të papaguara ndaj shtetit, të cilat arrinin deri në 27 milionë dollarë.
Me ndryshimin e pushtetit në 2014, Stream Oil iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone, pronarit të TransAtlantic Petroleum. Pas blerjes, Malone zbuloi se kompania kishte borxhe të tjera ndaj furnitorëve në Shqipëri, përveç atyre ndaj tatimeve. Ai e mbajti TransAtlantic Albania për dy vjet, para se ta shiste tek GBC Oil.
Arbitrazhi ndërkombëtar
Në vitin 2017, Albpetrol vendosi të rishtetëzojë vendburimet, që tashmë ishin nën pronësinë e GBC Oil, duke argumentuar se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet koncesionare dhe kishte borxhe të papaguara.
Pas shtetëzimit, GBC Oil u drejtua ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih, duke kërkuar kompensim prej 110 milionë dollarësh. Në korrik 2020, gjykata hodhi poshtë shumicën e pretendimeve, por i kërkoi Shqipërisë të paguante 12.7 milionë dollarë si kompensim për ndryshimin e taksave pas marrëveshjes koncesionare.
Fillimisht, qeveria raportoi se kishte fituar çështjen, por gjoba u bë e njohur katër vjet më vonë, kur GBC Oil angazhoi kompaninë australiane Omni Bridgeway për të ndjekur ekzekutimin e vendimit.
Në korrik 2023, Omni Bridgeway nisi një proces në Gjykatën Federale të Uashingtonit, duke kërkuar njohjen dhe zbatimin e vendimit arbitrazhi nga autoritetet amerikane.













