LajmePolitika

“Jo anëtarësim të plotë në BE”, gazetari gjerman zbulon planin Rama-Vuçiç

Gazetari gjerman Michael Martens ka komentuar në platformën X një opinion të përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vučić, botuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku paraqitet një qasje e re për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit.

Sipas Martens, Rama dhe Vuçiç nuk këmbëngulin në anëtarësim të plotë dhe të menjëhershëm në Bashkimin Evropian, por propozojnë që vendet kandidate që përmbushin kushtet të pranohen fillimisht në Tregun e Përbashkët Evropian dhe në Zonën Schengen.

Thelbi i planit të tyre është shmangia e të ashtuquajturit “kurthi i vetos”, duke ofruar integrim ekonomik dhe lëvizje të lirë pa ndryshuar arkitekturën vendimmarrëse të BE-së.

“Në një opinion të përbashkët për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić nuk këmbëngulin në anëtarësim të plotë në BE, por propozojnë pranimin e vendeve të tyre në Tregun e Përbashkët Evropian dhe në Zonën Schengen.

Nisma e tyre është pjesë e një debati në vazhdim – i intensifikuar jo pak edhe nga politikat e Hungarisë – mbi faktin nëse BE-ja mund të përballojë ende pranimin e anëtarëve të rinj me të drejtë vetoje, duke pasur parasysh bllokadat e vazhdueshme nga kryeqytete të veçanta.

Ideja e tyre, sipas tyre, nuk është vetëm në interes të vendeve kandidate, por edhe në dobi të BE-së dhe shteteve të saj anëtare: “Zgjerimi nuk ka qenë kurrë një akt bamirësie. Ka qenë një investim me përfitim të ndërsjellë””, shkruan Martens.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts