Kryeministri Edi Rama përsëriti sot në mbledhjen e Grupit të PS qëndrimin për Belinda Ballukun.
Rama deklaroi sërish se zëvendëskryeministrja e pezulluar aktualisht ka dhënë 3 herë dorëheqjen por është refuzuar prej tij.
Për të dhënë një mendim në lidhje me imunitetin e saj, Rama shtoi se do të duhet që fillimisht të përballet me dy raportet e dala nga Këshilli i Mandateve.
“Nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, pasi po pres raportin e Këshillit të Mandateve para se të them temën për imunitetin. Dua të ndaj diçka me ju që e kam thënë: Belinda Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë. Qysh në mbrëmjen e ditës kur iu ngrit akuza, jo për korrupsion.
Është interesante që ndodh që ‘tenxheret bëjnë llogaritë’ për ato vepra – akuza nuk është për korrupsion, s’ka! Por është për pabarazi në tendera. Pastaj më nisi sërish me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi, dhe më pas edhe një herë të tretë kur nuk u mor vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Unë e hodha poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes”, tha Rama ndër të tjera.
Kjo deklaratë e Ramës vjen pak ditë pas ultimatumit nga Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, i cili tha se çështja “Balluku” është një test kritik për Shqipërinë për të adresuar korrupsionin.
“Kjo çështje luajti rol gjatë vizitës sonë dhe në takimet tona këtu. S’jam në pozitën që të jap komente për çështje të veçanta. Jam në dijeni të çështjes, që s’ka të bëjë vetëm me aspekte juridike, por edhe përgjegjësi politike. Çështja që përfshin Ballukun është test kritik për Shqipërinë për të adresuar korrupsionin. Nuk kam komente të mëtejshme për këtë”, tha McAllister, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference për media.













