Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se mbrojtja që ai i bën zv/kryeministres Belinda Balluku është vetëm formale dhe e diktuar nga frika ndaj dosjeve hetimore që, sipas tij, e implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin.
Sipas Berishës, Rama do të ishte i gatshëm të sakrifikonte politikisht edhe Ballukun, “madje edhe ta helmonte në mesnatë”, nëse kjo e fundit nuk do të përmbante, sipas tij, prova që çojnë tek vetë kryeministri.
Ai shtoi se Rama është i aftë të kryejë çdo veprim për të mbrojtur veten dhe se SPAK, sipas tij, duhet të marrë masa mbrojtëse për Ballukun.
Berisha akuzoi Ballukun si “një nga grabitëset më të mëdha të fondeve publike”, duke theksuar se në aferat madhore si tuneli i Llogarasë, aeroporti i Vlorës, Unaza e Madhe dhe tendera të tjerë, ajo ka vepruar vetëm si zbatuese e urdhrave të Edi Ramës. “Në çdo rresht të dosjes Balluku, Edi Rama lexon emrin e tij,” u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës akuzoi gjithashtu Ramën për bllokim të drejtësisë, duke përmendur përdorimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e masave të sigurisë ndaj Ballukut, çka sipas tij i ka dhënë asaj mundësi për të manipuluar apo shkatërruar prova.
Në deklaratën e tij, Berisha u ndal edhe te çështja e AKSHI-t, duke pretenduar se Rama po ushtron presion të fortë mbi Prokurorinë për të mbrojtur persona të afërt familjarë. Ai akuzoi kryeministrin se po bën gjithçka që baxhanaku i tij, Armando Frangu, të mos shpallet person në kërkim për krime të rënda, duke e lidhur këtë çështje me aferat financiare të AKSHI-t.
Berisha deklaroi se Rama, sipas tij, nuk ka më interes për qytetarët, por vetëm për mbrojtjen e familjarëve dhe rrethit të ngushtë. Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve për angazhim politik, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një “klan mafioz të rrezikshëm”, që sipas tij përbën kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën.












