Pas përfundimit të numërimit në pesë bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet e pjesshme, kryeministri Edi Rama ka përgëzuar kandidatët socialistë.
Në një reagim në Facebook, Rama ka justifikuar pjesëmarrjen e ulët pasi sipas tij, moti me shi dhe natyra e zgjedhjeve të pjesshme, nuk i stimuloi qytetarët.
“5 bashki; 5 fitore; dhe 5 arsye më shumë për t’i falenderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës se djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk se e stimulojnë pjesëmarrjen.
Urime kryebashkiakëve të rinj, nga Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës; Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës; Florenci në Cërrik, Gramozi në Tepelenë dhe Altini në Mat, që të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve,” shkruan Rama.












