LajmePolitika

Kushtetuesja rrëzon dekretin: Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë Tiranë

Gjykata Kushtetuese doli me një vendim për çështjen e Erion Veliajt duke i dhënë të drejtë të vijojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Gjykatësit kanë vendosur 5 me 3 në favor të tij.

Në këtë mënyrë rrëzohet vendimi i qeverisë që e shkarkonte nga posti pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Dhënia e këtij vendimi do të thotë po ashtu se në kryeqytet nuk do të zhvillohen zgjedhje, duke e bërë edhe dekretin e presidentit Bajram Begaj të pavlefshëm.

I pari që e komentoi këtë vendim ishte kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e mësoi gjatë një prononcimi për gazetarët.

Sipas tij, gjykatësit zbatuan ligjin, por njëkohësisht e sheh atë edhe si dhuratë të Ramës ndaj Veliajt teksa nuk mungojnë akuzat ndaj kryeministrit dhe presidentit Bajram Begaj.

“Me këto ai i dha Erion Veliajt avantazhin e sotëm de facto. Nuk ka moral se Haram Begaj dhe Edi Rama janë të palosur që të dy, janë të rrëzuar me këtë vendim”, tha Berisha.

Kujtojmë se qeveria e shkarkoi Veliajn më 25 shtator, duke u mbështetur në nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, pasi ai nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj.

Më 31 tetor, në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca maratonë për shqyrtim e ankimimit të tij, e cila zgjati 7 orë.

Në sallën e gjyqit Veliaj, qeveria dhe presidenca dhanë argumentet e tyre. Kjo ishte njëkohësisht hera e parë që Veliaj shfaqej në publik pas arrestimit më 10 shkurt, këtë herë me pranga në duar.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts