Politika

Nga ‘denoncues’ i autokracisë te simbol i saj: Rama, 28 vite më pas, bëhet ai që dikur kritikonte

Njëzet e tetë vite më parë, Edi Rama, shkroi një opinion kritik në New York Times, duke dënuar mbështetjen e verbër të Europës për udhëheqësin autoritar të Shqipërisë në atë kohë.

Fred Abrahams është autor i librit Shqipëria Moderne: nga Diktatura në Demokraci. Ai mbuloi Ballkanin Jugor për Human Rights Watch nga viti 1993 deri në 2000.

Ndërsa vendi po rrënohej pas kolapsit të skemave piramidale, Rama akuzoi Europën se po zgjidhte stabilitetin afatshkurtër përmes një autokrati, në vend të një investimi afatgjatë në demokraci dhe sundim të ligjit.

“Shqipëria sot është rrënuar nga paaftësia e europianëve për të parë të vërtetën,” shkroi ai.

Fjalët e tij kumbojnë fort sot, vetëm se tani, Rama është në pushtet, sapo ka siguruar mandatin e katërt radhazi si kryeministër, dhe fundjavën e kaluar priti në Tiranë liderët europianë për samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian (EPC).

Image

Op-ed-i i Ramës për New York Times, 15 mars 1997.

Për të qenë të qartë, Shqipëria e vitit 2025 është larg kaosit të vitit 1997 nën presidentin e atëhershëm Sali Berisha, despotizmi i të cilit e çoi vendin buzë greminës. Por një element kritik i asaj epoke vazhdon të mbijetojë: përqendrimi i pushtetit në një njeri të vetëm, gjithmonë burrë, që dominon jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit.

Në sipërfaqe, Shqipëria e sotme duket e transformuar. Rama, pa komplekse dhe kozmopolit, vesh atlete me kostum, gjunjëzohet në tapet të kuq dhe mban duart me liderët. Por pas dymbëdhjetë vitesh në detyrë, mjeshtëria e tij qëndron në menaxhimin e marrëdhënieve të jashtme duke mbajtur kontroll të hekurt në vend.

Ky kontroll u shtrëngua edhe më shumë të dielën e 11 majit, kur Rama dhe Partia Socialiste fituan bindshëm ndaj opozitës së drejtuar nga Berisha, duke bërë fushatë mbi bazën e integrimit në BE. Samiti i EPC-së më pas u kthye në një paradë fitoreje.

Çdo shtrëngim duarsh me Meloni, Merz dhe Macron në Tiranë zbehte kritikat e drejtpërdrejta të vëzhguesve ndërkombëtarë nga OSBE, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian për zgjedhjet: keqpërdorim i burimeve publike, presion ndaj administratës dhe kontroll i thellë mbi median.

Përtej zgjedhjeve, çdo përqafim legjitimon korrupsionin e rrënjosur dhe politikën oligarkike që zhvillohet nën hijen e kullave të ndritshme që rrethojnë sheshin Skënderbej, aty ku sipas faqes zyrtare të EPC-së – “kryqëzohen historia dhe identiteti modern i Shqipërisë”.

Dinamika në Shqipëri ruan të njëjtat tipare si në 35 vitet e fundit: hijeshi jashtë vendit, kontroll brenda tij. Në skenë shfaqen sundimi i ligjit, demokracia dhe vlerat europiane. Pas kuintave ka gjyqtarë të frikësuar, media të blera dhe tendera të manipuluar.

Që nga rënia e komunizmit, qeveritë perëndimore janë treguar pak të interesuara për demokracinë në këtë vend të vogël ballkanik, edhe pse kërkesat për standarde demokratike kanë mbushur faqet e dokumenteve për anëtarësim në BE. Më shumë rëndësi ka që Shqipëria të sillet me përgjegjësi në rajon, veçanërisht për çështjet që lidhen me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, siç bën Rama. Dhe që t’i përgjigjet thirrjeve kur është e nevojshme, si në rastin e ndihmës për Italinë për të anashkaluar ligjin europian duke zhvendosur emigrantët dhe azilkërkuesit në kampe shqiptare.

Diplomaci jashtë, dominim brenda.

Ashtu siç paralajmëroi Rama në 1997, udhëheqësit europianë sërish tregojnë “paaftësi për të parë të vërtetën.” Ose ndoshta e shohin shumë mirë – dhe zgjedhin të mos shohin.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts